Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, OSSH tender për zhvendosjen e linjave të energjisë afër shinave
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të zhvendosë disa linja energjie pranë trasesë së hekurudhës Tiranë-Durrës dhe zgjatimit drejt aeroportit të Rinasit, në kuadër të projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore.
Me një fond limit prej rreth 46 mln lekë, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka hapur tenderin për spostimin e linjave elektrike përgjatë segmentit hekurudhor Tiranë – Durrës – Rinas.
Procedura e prokurimit e publikuar nga OSSH, pjesë e OSHEE Group, parashikon spostimin e linjave elektrike ajrore dhe kabllore që ndodhen pranë shinave të trenit.
Kjo ndërhyrje vjen pas kërkesës së bërë gjatë vitit të kaluar nga Hekurudha Shqiptare dhe pas shkresës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në kuadër të projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës–PTT Tiranë dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”.
Rrjet i ri kabllor pranë shinave
Projekti parashikon eliminimin e transversimeve ajrore dhe ndërtimin e një rrjeti të ri me linja kabllore, të cilat në disa segmente do të kalojnë nën shinën e trenit.
Këto kabllo do të instalohen në tuba plastikë dhe do të shoqërohen me puseta nga të dy anët e trasesë, në mënyrë që të respektohen standardet e sigurisë për funksionimin e hekurudhës. Për shkak të distancave të sigurisë, disa linja ajrore që aktualisht shtrihen përgjatë trasesë do të zhvendosen në një pozicion tjetër.
Çfarë përfshin zhvendosja e rrjeteve
Ndërhyrjet do të përfshijnë spostimin dhe përshtatjen e disa llojeve të rrjeteve energjetike, mes tyre rrjeti i tensionit të mesëm ajror 6 kV, 20 kV dhe 35 kV, rrjeti kabllor i tensionit të mesëm, si dhe rrjetet e tensionit të ulët ajrore dhe kabllore me kabëll ABC dhe PVC.
Segmentet ku kalon projekti
Sipas dokumenteve teknike, linja hekurudhore do të ndjekë kryesisht trasenë e shinave të vjetra të trenit, të cilat do të rehabilitohen. Traseja shtrihet në disa segmente, përfshirë zonat Tiranë–Domje, Domje–Rinas, Domje–Vorë dhe Vorë–Durrës, duke përfshirë territorin e bashkive Tiranë, Vorë dhe Durrës.
Projekti i hekurudhës dhe vonesat
Punimet për hekurudhën Tiranë–Durrës dhe zgjatimin drejt aeroportit të Rinasit kanë nisur në vitin 2021, por projekti ka pësuar disa vonesa që kanë shtyrë afatin e përfundimit. Sipas deklaratave të fundit zyrtare, linja hekurudhore pritet të nisë operimin e plotë vetëm në fillim të vitit 2027.
Një projekt prej mbi 100 milionë euro
Projekti fillimisht u financua me një kredi rreth 70 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Më vonë qeveria kërkoi një shtesë financimi prej 40 milionë eurosh për përfundimin e punimeve, kryesisht për shkak të rritjes së kostove të materialeve të ndërtimit dhe ndërtimit të stacioneve.
Linja hekurudhore Tiranë–Durrës me zgjatimin drejt Rinasit do të ketë një gjatësi prej 39 kilometrash. Trenat do të jenë elektrikë dhe pritet të përshkojnë distancën mes dy qyteteve për rreth 22 minuta, ndërsa përgjatë gjithë linjës do të ketë 11 stacione.